DE

#FEMALEFORWARDINTERNATIONAL
Njihuni me Edita Tahirin nga Kosova

Lufta e një lidere për liri
Edita Tahiri
© FNF

Historia e lideres së Kosovës Edita Tahiri - nga lufta për pavarësi te negociatat e paqes gjatë kohës së luftës dhe deri në ditët e sotme.

Shumë pak gra në botë mund të fillojnë rrugëtimin e tyre të jetës si një nga njerëzit e shtypur në vendin e tyre, të rriten duke u bërë zëri i kombit të tyre të sapolindur në botë, ta ndihmojnë atë të fitojë lirinë e tij, dhe pastaj jo vetëm të jetojnë për ta treguar këtë histori, por edhe të bëjnë një karrierë të suksesshme politike. Edita Tahiri nga Kosova është një këso shembulli i rrallë, dhe ajo ka shumë histori për të treguar.

Tahiri, e lindur në 1956, është një nga udhëheqësit e Kosovës dhe ishte kryediplomate gjatë luftës për pavarësi dhe për njohjen e shtetit më të ri të Evropës. Ajo shërbeu si Ministre e Punëve të Jashtme për dhjetë vjet gjatë kohëve të vështira të luftës për pavarësi, si Zëvendëskryeministre, si Ministre e Dialogut, si Ministre e Administratës Publike dhe si deputete në pesë Kuvende të ndryshme Kombëtare në Kosovë. Për shtatë vjet (2011-2017) ajo veproi si kryenegociatore e dialogut të normalizimit me Serbinë dhe nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Republikës më 17 shkurt 2008. Tahiri ishte gjithashtu pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Paqes në Rambuje në 1999 që praktikisht i hapi rrugën pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare.

Edita Tahiri
© FNF

Tahiri është e diplomuar në Universitetin e Harvardit, duke magjistruar në Administrim Publik nga Shkolla John F Kennedy për Qeverinë dhe ka një diplomë doktorate në shkencat politike nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin Johns Hopkins SAIS në Uashington DC. Më herët, ajo fitoi një diplomë universitare në fushën e telekomunikacionit në Prishtinë, Kosovë dhe një master nga Essex, MB.

Në ditët e para të lëvizjes për pavarësi, më të mirët dhe më te ndriturit e Kosovës e nominuan atë për të qenë Ministre e Punëve të Jashtme të këtij vendi ende inekzistent. “Në atë kohë, ishte shumë e rëndësishme të kishim njerëz patriotë, të arsimuar mirë dhe jo nostalgjikë për kohën komuniste. Drejtuesit e lëvizjes sonë ishin të gjithë nacionalistë, ne ishim elita e Kosovës,” kujton ajo. Fakti që ajo ishte një grua ishte dytësore në atë kohë. "Kur kombi është në rrezik, nuk ka vend për gjini," qesh ajo.

Edita Tahiri
© FNF

Udhëheqja e Kosovës nuk kishte qasje tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Edita Tahiri kujton: "Një krye-diplomate të cilës i mohohet qasja në institucionet ndërkombëtare dhe vendet e rëndësishme kërkon shumë kreativitet për të bërë përparim," kujton ajo. Megjithatë, tragjedia e popullit të saj, shqiptarëve dhe vendit të saj e motivoi atë të mos heqë dorë kurrë dhe të kërkojë ndonjë mundësi për t'u takuar me diplomatë dhe ministra në mënyrë që të fitojë mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë dhe të sigurohet që gjenocidi nuk do t'i ndodhë kurrë më popullit të saj. “Mbaj mend që në fillim, ata as nuk më prisnin në zyrat e tyre, por në korridore, ose në kafene në konferenca ndërkombëtare. Kafenetë u bënë vendi i punës time lobuese," thotë ajo. Ajo e përcakton këtë rrugëtim diplomatik si "nga korridoret e diplomacisë në Shtëpinë e Bardhë".

Edita Tahiri
© FNF

Me përfundimin e pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe kthimin e jetës normale, e vetë-përshkruara ‘realiste në fushën ndërkombëtare’ është kthyer drejt liberalizmit dhe reformës së brendshme. "Kur lufta mbaroi dhe ne fituam lirinë tonë, fillova të besoj se kjo liri e re tani duhet t'i shërbejë të gjithëve. Ajo ide më çoi në idealet e liberalizmit dhe, deri më sot, besoj se barazia e mundësive dhe epërsia e ligjit janë baza e çdo shteti demokratik dhe se qeveria është atje për t'i shërbyer popullit, "thotë Tahiri.

Edita Tahiri
© FNF

Kjo diplomate dhe udhëheqëse është pozitive për të ardhmen e vendit të saj; pavarësisht nga pengesat e shumta me të cilat është përballur deri më tani. “Ka shumë sfida para nesh, para së gjithash - arritja e përparimit ekonomik dhe hapja e vendeve të punës në mënyrë që rinia jonë të përmbushë ëndrrat e saj në Kosovë dhe jo jashtë saj. Emigrimi i brezit tonë të ri është fatkeqësia e shoqërisë sonë dhe e të gjithë Ballkanit. Në fund të ditës, e tashmja dhe e ardhmja e kombit tonë bazohet në energjinë e të rinjve tanë,” thotë Tahiri, duke shtuar se mbajtja e qytetarëve të saj më të rinj së bashku me integrimin euroatlantik duhet të jetë qëllimi strategjik i Kosovës.

Sidoqoftë, mbi të gjitha ajo beson se Ballkani duhet të mbyllë përfundimisht kapitullin mbi luftërat dhe armiqësitë e tij dhe të fillojë marrëdhëniet e ardhshme paqësore. "Ne nuk duhet t'ia lëmë këtë barrë brezit të ardhshëm," përfundon Tahiri.

 

Ndiqni më shumë histori mbi fuqizimin e femrave me #FemaleForwardInternational dhe në fokusin special në faqën tonë të internetit.